Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndau çmimin për vepër jetësore “Niketë Dardani”, për kompozitorin Rafet Rudi, si dhe çmime të tjera vjetore për muzikë kompozitorëve Kreshnik Aliçkaj, Ersan Januzi, Hajrullah Syla dhe Memli Krasniqi.
Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, tha se është obligim të ndahen këto çmime për të vlerësuar punën që ata po kryejnë.
“Ne si ministri, si institucione po e kryejmë një obligim ndaj juve, ndaj punës juaj, është më e pakta që mund të bëjmë dhe është më e pakta dhe është shumë pak në krahasim me sa meritoni por të paktën po e kryejmë një pjesë të obligimit që e kemi ndaj jush…Përgjegjësia me vlerësuar punën artistike është shumë e madhe, nuk ishte dashtë me i mbete një ministri por është çështje e profesionistëve”, tha ai.
Kompozitori dhe dirigjenti, Rafet Rudi tha se krijimtaria e muzikës klasike është e veçantë dhe se ka një numër të vogël të krijuesve të kësaj veprimtarie. Ai pasi mori çmimin “Niketë Dardani”, tha se artistët e rijnë kanë nevojë për mbështetje.
“Është duke u ruajtur një vazhdimësi korrekte ndaj krijimtarisë, krijimtarisë së muzikës klasike, por duhet thënë se kohën e fundit është një prijat e tërë e artistë të rijnë që kanë nevojë për mbështetje, kjo muzikë është e veçantë për shkak se nuk i nënshtrohet d.m.th. rregullave të tregut. Veprat orkestrale janë vepra që punohet me muaj të tërë dhe në anën tjetër krijimtaria jonë nuk ka numër të mjaftueshëm të veprave natyrisht edhe numër jo të madh të krijuesve që i për kushtohen kësaj veprimtarie, andaj edhe ndihma nga ministria është e rëndësishme”, tha ai.
Pas ndarjes së çmimeve, ministri Çeku tha se Liburn Jupolli, kompozitor i gjeneratës së re i është bashkuar kabinetit të tij si këshilltar.