UBT News

​Ahmeti: Komuna do ta përballonte koston prej 9 milionëve për ta ndërtuar sallën koncertale

Komuna e Prishtinës ka shpalosur tri projekt-propozimet për ndërtimin e Sallës Koncertale në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia”.

Projektet ideore u konsideruan si fenomenale dhe do të ruanin trashëgiminë dhe memorien e ish-Gërmisë. Derisa u tha se tek javën e ardhshme do të dihet se cili projekt do të përzgjidhet nga komuna.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti në një konferencë për media tha se për ta bërë përzgjedhjen e duhur kanë aranzhuar jurinë profesionale që përbëhet nga profesorë ndërkombëtarë, arkitektë dhe nga pjesëtarë nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore.

Sipas tij, nëse kosto financiare e ndërtimit të saj është 9 milionë euro, sikur projekti i parë i prezantuar, atëherë brenda dy viteve e njëjta do të ndërtohet.

“Ideja ka qenë që të ruhet sa më shumë identiteti dhe ruhet memoria. Por në anën tjetër sikur edhe plotë qytete sot në botë, e veçanërisht në Evropë ku investohet në ndërtesa, ruhet trashëgimia e qytetit, por bëhet intervenimi në atë mënyrë që të kemi edhe memorien dhe diçka që të përdoret në kohë moderne. Nëse kosto është 9 milionë, Prishtina mundet për dy vite me përfundua këtë sallë në mënyrë që në vitin 2023 të kemi të gatshme për koncerte”, tha ai.

Pavarësisht kësaj, Ahmeti tha se ky konkurs është vetëm për zgjedhje, e jo vendim për ndërtim, pasi kosto mund të jetë e lartë e fituesit nga ana e jurisë. Ani pse i bëri publike projektet, Ahmeti nuk i zbuloi emrat e kompanive, pasi tha se të njëjtat sipas rregullave janë dorëzuar vetëm me shifra.

“Kemi marrë tre profesorë ndërkombëtarë, njëri është i universitetit të Harvardit, Zagrebit dhe Stambollit, të cilët kemi kërkuar të jenë pjesë e jurisë, dy nga shoqata e arkitektëve, një anëtar të komunës dhe nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore. Nuk e dina cili propozim i kujt është. Prandaj sot nuk iu tregojmë se kush është kompania sepse sipas rregullave të prokurorimit këto janë dorëzuar me numër, shifër që komisioni mos me ditë cili propozim i takon”, deklaroi Ahmeti.

Exit mobile version