UBT News

Zyrtarja ruse me akuza për krime lufte do të jetë prezent në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Një zyrtare e lartë ruse, e cila kërkohet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) me akuza për krime lufte, do të marrë pjesë praktikisht në një takim jozyrtar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mërkurën.

Ukraina akuzon Rusinë se ka rrëmbyer dhe dëbuar me forcë më shumë se 16,000 fëmijë që kur filloi pushtimin e saj më shumë se një vit më parë.

ICC-ja muajin e kaluar lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin si dhe komisioneren e vendit për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, lidhur me këtë çështje.

Rusia, e cila mban presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit për muajin prill, organizoi konferencën e së mërkurës nga Lvova-Belova për të ofruar “informacion objektiv mbi situatën e fëmijëve në zonën e konfliktit” në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore dhe masat e marra për të “evakuuar fëmijët nga rreziku”.

Mbretëria e Bashkuar shprehu zemërimin që Lvova-Belova do të merrte pjesë në takim, duke thënë se “nëse dëshiron të japë llogari për veprimet e saj, ajo mund ta bëjë këtë në Hagë”.

Deklarata e Mbretërisë së Bashkuar shtoi se delegacioni i saj kishte bllokuar me sukses transmetimin e takimit të ardhshëm në faqen e internetit të OKB-së.

Ky lloj takimi jozyrtar, i cili mund të organizohet nga çdo anëtar i Këshillit, mbahet në selinë e OKB-së, por jo në dhomën e Këshillit të Sigurimit.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzia, tha se takimi i së mërkurës ishte planifikuar “shumë përpara se” ICC të lëshonte urdhër-arrestet e saj më 17 mars./UBTNews/

Exit mobile version