Zyrtari i Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë, Shpat Morina, ka dëshmuar para Komisionit Hetimor Parlamentar të themeluar për zbardhjen e rrethanave pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Mbledhja nisi e hapur për mediat, por me kërkesë të vetë Morinës, procesi i intervistimit vijoi me dyer të mbyllura.
Para se mediat të largoheshin, Morina konfirmoi para deputetëve një lëshim procedural gjatë trajtimit të rastit, duke bërë të ditur se fëmija i të ndjerës është marrë në pyetje nga policia pa praninë e një psikologu.
“Psikolog nuk ka pasur kur është intervistuar fëmija në stacion të Policisë në Vitomiricë”, deklaroi ai.
Në lidhje me kompetencat e tij profesionale, zyrtari i QPS-së insistoi se detyrën e ushtron me përgjegjësi të plotë dhe se është i licencuar për punën që bën, falë trajnimeve të vazhdueshme që ka ndjekur që nga viti 2018.
“Përgjegjësitë ligjore janë ardhja në punë me rregull, respektimi i orarit, kryerja e të gjitha lëndëve me përpikmëri dhe shkuarja në seanca në gjykata e në polici. Prej trajnimeve kemi marrë licenca të mjaftueshme, që i bie se jam i licencuar dhe vazhdojmë të licencohemi”, u shpreh Morina.
Para dëshmisë së tij, Komisioni Hetimor intervistoi udhëheqësin e QPS-së në Pejë, Durim Kelmendin, dhe menaxheren e rastit, Toskë Gegën. Sipas agjendës së komisionit, pritet të dëshmojnë edhe drejtuesja e QPS-së në Pejë, Shpresa Lukaj, si dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. /E.A/
