Zyrtarët më të lartë evropianë do të bojkotojnë takimet jozyrtare të cilat janë thirur nga Hungaria, pasi ky vend aktualisht udhëheq presidencën e BE-së. Deri te ky vendim erdhi pasi kryeministri hungarez, i cili njihet edhe si pro-rus, Viktor Orban, mbajti një sërë takimesh me liderët e huaj rreth Ukrainës, dhe kjo acaroi partnerët evropianë.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer shkroi në “X” se bojkoti ndodhi në dritën e zhvillimeve të fundit që shënojnë fillimin e presidencës hungareze (BE).
Hungaria mori presidencën e BE-së më 1 korrik dhe që atëherë Orban ka vizituar disa shtete sikurse Ukraina, Rusia, Azerbajxhani, Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në turneun botëror që ai e ka shpallur si një “mision paqeje”, përmes së cilit synon të ndërmjetësojë përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë. Turneu i tij acaroi shumë liderë të Bashkimit Evropian, të cilët thanë se nuk janë informuar paraprakisht për planet e Orbanit.
Qeveria e Orbanit është miqësore me Rusinë dhe ka dalë kundër politikës së shumicës së vendeve të BE-së lidhur me mbështetjen e tij për Ukrainën./UBTNews/