Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali George M. Wikoff, së bashku me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, kanë vizituar të enjten veriun e Kosovës.
Gjatë vizitës, ata kanë vëzhguar nga afër patrullimin e përbashkët të pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës përgjatë vijës kufitare.
Dy zyrtarët janë takuar gjithashtu me kryetarin e komunës së Zubin-Potokut, Milosh Peroviq, me të cilin kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë dhe zhvillimet në këtë pjesë të vendit.
Përmes një njoftimi, KFOR-i ka ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e sigurisë, duke bërë të ditur se vazhdon të monitorojë situatën në terren, të bashkëpunojë me komunitetet dhe të mbajë gatishmërinë operacionale.
Një ditë më parë, Wikoff dhe Vergori kanë zhvilluar takime me drejtues shtetërorë, përfaqësues institucionalë dhe komunitete të ndryshme.
Ndërkohë, NATO ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme dhe ka shënuar përmirësime. Megjithatë, Aleanca ka theksuar se çdo ndryshim në praninë dhe strukturën e KFOR-it do të varet nga zhvillimet në terren, duke mos përjashtuar rikthimin e masave të mëparshme në rast të përkeqësimit të sigurisë.
D.L
