Kristjan Asllani është tashmë zyrtarisht pjesë e Torinos. Mesfushori shqiptar u transferua te skuadra nga Piemonte mbrëmjen e së hënës, në formë huazimi nga Interi, me një pagesë prej 1.5 milionë eurosh dhe me të drejtë blerjeje për 12 milionë euro në fund të sezonit.
23-vjeçari, i cili ka qenë pjesë e Interit që nga viti 2022, është përshëndetur me klubin dhe tifozët zikaltër përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.
“Ka ardhur momenti të përshëndetemi, dhe besomëni, nuk është e lehtë të gjej fjalët e duhura. Të vesh fanellën e Interit ka qenë një ëndërr që e kam ruajtur që fëmijë”, shkruan Asllani, duke falënderuar klubin për mundësinë dhe tifozët për mbështetjen gjatë këtyre dy sezoneve.
Mesazhi i tij përfshinte edhe mirënjohje për shokët e skuadrës dhe stafin teknik, duke theksuar se ka dhënë maksimumin për të respektuar fanellën e klubit.
Asllani largohet nga Milano pas dy sezonesh në të cilat pati hapësira të kufizuara, por mbetet një nga lojtarët e perspektivës në futbollin italian dhe me rëndësi për Kombëtaren shqiptare.