Genoa ka zyrtarizuar emërimin e Daniele De Rossit si trajnerin e ri të skuadrës, pak ditë para ndeshjes vendimtare për mbijetesë kundër Fiorentinës në Serie A.
Ish-legjenda e Romës ka nënshkruar një kontratë deri në fund të sezonit 2025-26, me mundësi zgjatjeje nëse klubi arrin të shmangë rënien nga kategoria.
Kjo është skuadra e tretë që 42-vjeçari do të drejtojë në karrierën e tij trajneriale, pas eksperiencave me SPAL dhe Romën.
De Rossi do të prezantohet të premten në konferencën për shtyp, përpara ndeshjes së rëndësishme ndaj Fiorentinës të dielën. Aktualisht, Genoa renditet në vendin e 18-të në Serie A me vetëm gjashtë pikë pas 10 javësh, ndërsa Fiorentina është në vendin e fundit me dy pikë më pak.
Në njoftimin zyrtar, klubi shkruan:
“Genoa njofton se ia ka besuar drejtimin e ekipit të parë Daniele De Rossit. Trajneri i ri është takuar me skuadrën dhe ka nisur punën në qendrën stërvitore Signorini. I urojmë mirëseardhje De Rossit dhe stafit të tij, duke falënderuar Roberto Murgitën dhe Domenico Crisciton për kontributin e tyre.”/S.K/KP/
