Klubi anglez Tottenham Hotspur ka konfirmuar sot që trajneri i ri i tyre do të jetë italiani Antonio Conte.
Conte do të jetë në krye të klubit londinez deri në qershor të vitit 2023, ku tanimë marrëveshja është kompletuar nga të dy palët, dhe është bërë zyrtare nga Tottenham, përcjell KosovaPress.
Po ashtu, Conte tani do të punojë së bashku me drejtorin sportiv Fabio Paratici, me të cilin kishin kaluar tre vite së bashku te gjigandi italian Juventus.
Drejtori sportiv i Tottenham Fabio Paratici e dëshironte Conten në krye të skuadrës londineze që nga muaji qershor, ku ky i fundit së fundmi spekulohej se mund të merrte drejtimin e gjigandit anglez Manchester United.
Pas shkarkimit të trajnerit portugez Nuno Espirito Santo, skuadra e Tottenham e zyrtarizon Antonio Conten si zëvendësuesin e tij.