Tashmë është zyrtare: mbrojtësi i kombëtares shqiptare Arlind Ajeti transferohet te skuadra e Bodrumspor, që militon në elitën e futbollit turk. Ajeti bashkohet me Taulant Seferin, që vetëm pak ditë më parë firmosi me skuadrën e Bodrumsporit.
Ajeti largohet nga kampionati rumun (ishte pjesë e Kluzhit) dhe tashmë është gati që të nisë një aventurë të re në karrierën e tij.
“Klubi ynë ka arritur marrëveshje 3-vjeçare me mbrojtësin Arlind Ajeti, i cili sezonin e kaluar luajti për CFR Cluj. Mirë se erdhe në familjen tonë Arlind!”, shkruhet në njoftimin e klubit turk.
Nga shitja e Ajetit, klubi i Kluzhit, që ka edhe kartonin e mbrojtësit, do të përfitojë shumën e 300 mijë eurove.
Për lojtarin 30-vjeçar mund të konsiderohet një hap i rëndësishëm në karrierë në këtë moment, pas aventurave që ai ka pasur në Zvicër, Itali me skuadra të ndryshme, Danimarkë dhe së fundi në Rumani. Qendërmbrojtësi ka arritur të luajë edhe në Serinë A me Torinon.
Edhe pse dëmtimet e kanë bezdisur shpesh, Ajeti arriti të bëhej protagonist sezonin e fundit me fanellën e Kluzhit, ku ishte transferuar si një lojtar i lirë, pas largimit nga Pordenone.
Arlind Ajeti nuk u grumbullua nga trajneri Silvinjo në Kombëtare për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, pasi ka qenë i dëmtuar.
Kujtojmë që ai luajti titullar në Europianin e Gjermanisë, duke qenë në krah të kapitenit Berat Gjimshiti në qendër të mbrojtjes./UBTNews/