Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Politico në Berlin ka folur për shumë çështje, në mesin e tyre edhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Osmani gjatë intervistës tha se Kosova ka çmontuar mbi 900 banda kriminale, teksa zyra e presidentës përmes një reagimi sqaroi se në fakt ishte fjala për raste dhe jo për banda kriminale.
“Në fakt, është menduar për raste e jo për numër bandash.Siç e dini, disa banda serbe të veriut kanë qenë të involvuara në qindra raste të veprave penale.Në asnjë moment Presidentja nuk e ka paraqitur Kosovën si vend të krimit, por si vend të rendit e ligjit dhe si vend ku respektohen në vazhdimësi vlerat evropiane të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit“, thuhet në komunikatën nga zyra e presidentës.
Osmani ka thënë se pret mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën edhe në të ardhmen, duke përmendur aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Nëse Gjermania merre një rol udhëheqës, unë mendoj se mund të ndodhë sikurse ka ndodhur në çdo proces të mirë që ka nisur deri më tani”, ka thënë Osmani./KP
