CSKA Sofia ka marrë një vendim disiplinor ndaj futbollistit ofensiv Zymer Bytyqi, i cili do të stërvitet me ekipin e dytë të klubit. Sipas njoftimit zyrtar, trajneri Dusan Kerkez e ka marrë këtë vendim për shkak të shkeljes së disiplinës dhe sjelljes që nuk përputhet me standardet profesionale dhe rregullat e brendshme të klubit.
“CSKA gjithmonë ka mbështetur parimet e përgjegjësisë, respektit dhe frymës së ekipit. Kushdo që vesh fanellën e kuqe është i detyruar t’i zbatojë ato,” thuhet në deklaratën e klubit bullgar.
Bytyqi, i cili iu bashkua CSKA-së vitin e kaluar, nuk ka arritur të bindë plotësisht as në fushë dhe tani përballet me pasoja për sjellje jashtë saj. E ardhmja e tij në klub mbetet e paqartë.