Kapiteni i kombëtares zvicerane, Granit Xhaka, me shumë gjasa nuk do të jetë pjesë e ekipit në miqësoret e muajit mars kundër Irlandës së Veriut dhe Luksemburgut.
Sipas mediave zvicerane, mesfushori 32-vjeçar ka marrë leje nga përzgjedhësi Murat Yakin, pasi së shpejti pritet të bëhet baba për herë të tretë. Kjo do të jetë hera e parë pas më shumë se tre vitesh që Xhaka nuk do të jetë në dispozicion të përfaqësueses së tij, përveç rasteve të detyruara nga lëndimet apo pezullimet.
Zvicra do të grumbullohet më 17 mars, ndërsa ndeshjet miqësore janë të planifikuara më 21 mars kundër Irlandës së Veriut dhe më 25 mars ndaj Luksemburgut.
Sipas gazetës zvicerane “Blick”, pushimi i akorduar për Xhakën është një vendim i kuptueshëm, pasi ai ka luajtur një numër të madh ndeshjesh këtë sezon. “Pushimi do t’i bëjë mirë lojtarit që mban rekordin për paraqitje te Zvicra, pasi ai ka luajtur 39 ndeshje që nga mesi i gushtit, shumicën e tyre për 90 minuta”, shkruan gazeta.
E vetmja ndeshje që Xhaka ka humbur gjatë kësaj periudhe ka qenë ajo kundër Spanjës në Ligën e Kombeve, për shkak të një pezullimi. Ndërkohë, hera e fundit që ai nuk ishte në listën e Zvicrës për arsye personale apo lëndimi daton në vjeshtën e vitit 2021, kur kishte pësuar një dëmtim në ligamentet e gjurit.
Deri më tani, Xhaka ka regjistruar 135 paraqitje me kombëtaren zvicerane, duke shënuar 14 gola. Ai mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit dhe një figurë kyçe edhe te Bayer Leverkusen, skuadër me të cilën po kalon një sezon të shkëlqyer në Bundesligën gjermane.
Pavarësisht mungesës së tij në miqësoret e marsit, Xhaka pritet të jetë plotësisht i gatshëm për Kampionatin Evropian 2025, ku Zvicra synon të bëjë një paraqitje dinjitoze./UBTNews/