UBT News

Zvicër: 3 vjet burg dhe dëbim nga vendi për mjekun që mori 3.5 milionë franga kredi në pandemi

Gjykata e Qarkut në Bülach ka dënuar ish-shefin e zinxhirit të ordinancave mjekësore “Doktori im” me një dënim me burg prej 36 muajsh për mashtrim me kredi koronare.

Nga ky dënim ai duhet të mbajë 10 muaj burg efektiv.

Gjykata ka vendosur po ashtu edhe dëbimin e tij pesë-vjeçar nga Zvicra.

Mjeku austriak 47-vjeçar ka argumentuar në gjykatë se ai, duke marrë kredinë donte vetëm të parandalonte mbylljen e ordinancave.

Mbi të gjitha, i akuzuari thotë se nuk i ka përdorur 3.5 milionë frangat e marra në mënyrë të paligjshme në emër të “kredisë së koronës” për qëllime private. Paratë janë derdhur ekskluzivisht në zinxhirin e ordinancave që ai drejtonte.

“Ai po përpiqej të shpëtonte nga mbyllja ordinancat e mjekëve të përgjithshëm. Por, megjithatë, metoda ishte e padrejtë”, është shprehur krytari i trupit gjykues.

Sipërmarrësi kishte tërhequr në mënyrë të paligjshme 22 kredi të koronës. Ai kishte udhëzuar punonjësit e tij që të përdornin numra të shpikur në aplikimet për kredi, në Credit Suisse.

Sikur të kishte përdorur informacionin e vërtetë, ai do të kishte marrë kredi prej vetëm 690,000 frangash, por me shifrat e ekzagjeruara, shuma e përfituar ka qenë 3,5 milion franga.

Ndërkohë, qeveria federale është ende në pritje të kthimit të fondit të tërhequr në mënyrë të paligjshme. Sipërmarrësi 47-vjeçar deri më tani ka qenë në gjendje të shlyente vetëm 300,000 CHF nga 3.5 milion CHF sa i takon.

Exit mobile version