UBT News

Zubin Potok: Policia përdor armët e zjarrit për të ndaluar kontrabandistin

Një rast i kontrabandës me mallra ka përfunduar me përdorim të armës së zjarrit nga ana e policisë dhe me arrestimin e një personi, në orët e para të mëngjesit të së dielës në Zubin Potok.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:38, kur zyrtarët policorë kanë hasur një veturë me targa të Serbisë, e cila po transportonte mallra të kontrabanduara.

I dyshuari nuk ka përfillur urdhrat e policisë për t’u ndalur dhe si reagim ndaj veprimeve të tij, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin armën e zjarrit.

Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka zbuluar një sasi të ngarkuar me pije alkoolike dhe joalkoolike, për të cilat shoferi nuk posedonte asnjë dokument përcjellës.

Mjeti së bashku me mallrat e ndaluara janë sekuestruar menjëherë nga autoritetet, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. /E.A/

Exit mobile version