Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), do të shqyrtojë sot kërkesën për dhënie të licencës për furnizim me energji elektrike për “Elektrosever” për katër komunat veriore, bazuar në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, raporton KosovaPress.
Kosova dhe Serbia në Bruksel të martën nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve të arritura për energjinë gjatë viteve 2013 e 2015, ku njëra ndër pikat obligon ZRRE-në t’ia lëshojë licencën e furnizimit “Elektroseverit”.
Mbledhja është paraparë të mbahet me fillim prej orës 13:00 në zyrat e Rregullatorit të Energjisë.
Marrëveshja për energjinë ka dominuar diskursin publik në vend ditëve të fundit me debate të ashpra edhe në Kuvendin e Kosovës, duke akuzuar Kurtin për hipokrizi për shkak se, sipas opozitës, të njëjtën marrëveshje e kishte kundërshtuar.