Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar zyrtarisht se çdo konsumator i prekur nga devijimet e orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike do të kompensohet plotësisht. Sipas ZRRE-së, pas verifikimeve është konstatuar se matja e energjisë ka qenë e saktë, por pasaktësitë kanë lidhje me devijimin e kohës tarifore, çka ka ndikuar në mënyrën se si janë llogaritur faturat.
Rregullatori ka kërkuar zëvendësimin e menjëhershëm të këtyre njehsorëve dhe korrigjimin financiar për qytetarët, ndonëse theksoi se në shumicën e rasteve të verifikuara deri më tani, korrigjimet nuk kanë rezultuar në favor të konsumatorëve.
Në të njëjtën kohë, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka gjobitur KEDS-in me 6 mijë euro për mosrespektim të afatit të vlefshmërisë së njehsorëve.
Ky zhvillim vjen paralelisht me nisjen e intervistimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka autorizuar Policinë për hetime në terren. Hetimet nisën pas raportimeve të deputetit Visar Azemi, i cili pretendoi se mbi 80 për qind e njehsorëve në Prishtinë dhe Ferizaj nuk kanë orën e saktë.
Ndërsa KEDS-i ka mohuar çdo mundësi manipulimi, ZRRE-ja ka bërë të ditur se moszbatimi i detyrimeve për kompensim nga operatorët do të trajtohet me masa të rrepta ligjore.
