Vendimi i Qeverisë së Kosovës nga viti 2018 për formimin e zonës së veçantë ekonomike amerikane, ende nuk është funksionalizuar.
Nga Oda Ekonomike Amerikane, megjithatë thonë se marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar më 4 shtator në Uashington, ka ngritur nevojën e funksionalizimit të zonës ekonomike amerikane në Kosovë.
Kjo zonë, që njihet edhe si qyteti ekonomik kosovaro – amerikan, ishte paraparë të jetë një zonë e veçantë për tërheqjen e investitorëve amerikanë apo investimeve me pjesëmarrje të kapitalit amerikan. Lokacioni i zgjedhur ishte vendosur të jetë në komunën e Gjakovës.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa Lirë lidhur me mosfunksionalizimin e kësaj zone ekonomike amerikane, ndërkaq në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), në të cilën bie administrimi i zonave ekonomike, nuk kanë informata.
Sipas një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thuhet se formimi i zonës ekonomike amerikane nuk ka ardhur përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (agjenci kjo që funksionon në kuadër të MTI-së), por nga zyra e kryeministrit dhe në këtë fazë nuk kanë informata të hollësishme.
Zona e veçantë ekonomike amerikane me vendim të qeverisë që në atë kohë drejtohej nga tash ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ishte vendosur të jetë me një sipërfaqe prej mbi 500 hektarë tokë.
Në atë kohë, kjo zonë ekonomike ishte konsideruar e një rëndësie të madhe për ofrimin e kushteve të nevojshme për investimin e kompanive të ndryshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, ishte parë si mundësi e mirë për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe rritjen e punësimit.
Zona ekonomike amerikane në duart e qeverive
Haki Shatri, ish-këshilltari për ekonomi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo ishte një nismë e mirë, por që nuk u jetësua ende, për shkak të ndërrimit të qeverisë.
“Është një praktikë e keqe që nuk sigurohet vazhdimësia e vendimeve të një qeverie që efekti i tyre të ndihet në zhvillim shoqëror e ekonomik. Është me rëndësi që ajo{zona ekonomike amerikane} të jetësohet, sepse ndikon në tërheqjen e investimeve amerikane në punësim dhe në shumë segmente të zhvillimit ekonomik”, thotë Shatri.
Sipas Ligjit për zonat ekonomike, në këto hapësira mund të zhvillohet çdo veprimtari afariste, e cila nuk cenon rendin publik, mbrojtjen e shëndetit, mjedisin, florën dhe faunën dhe pasuritë kombëtare të Kosovës.
Krijimi i zonave ekonomike ka për qëllim nxitjen dhe inkurajimin e investimeve në Kosovë, duke iu ofruar investitorëve infrastrukturë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive afariste, (si lehtësira tatimore) nxitjen e investimeve private në veprimtaritë prodhuese, si dhe të ndihmojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në Kosovë, e hapjen e vendeve te reja të punës.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, për Radion Evropa e Lirë sqaron se ka pasur një grup punues që ka punuar në përcaktimin e kritereve për vendosjen e kompanive brenda zonës dhe po ashtu janë bërë edhe disa nisma. Por, sipas tij, ndryshimet e qeverisjes e kanë zhvendosur fokusin nga kjo iniciativë që është vendim i qeverisë.
“Për aq kohë sa nuk nxirret një vendim për shfuqizimin e këtij vendimi, ky vendim duhet të shtyhet përpara nga qeveria aktuale”, thotë Zeka.
Marrëveshja në Uashington nxit jetësimin e zonës ekonomike amerikane
Zeka thotë se vetë nënshkrimi i marrëveshjes në Uashington dhe hapja e mundësive të financimit që ofrohen nga dy institucionet financiare amerikane, siç është Korporata Ndërkombëtare e SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe Banka EXIM, tregon rëndësinë e jetësimit të kësaj zone.
“Shpresoj që Ministria e Tregtisë që ka kompetencat, do ta marrë me prioritet këtë çështje. Do të ishte mirë që kurdo që ata (investitorët amerikan) të shprehin gatishmëri për konkretizimit e planeve për zgjerim në Kosovë, të kenë një hapësirë në të cilën mund të vendosen, pra një hapësirë që ju ofron infrastrukturën e nevojshme”, thotë Zeka.
Oda Ekonomike Amerikane në kohë e vendimit për krijimin e zonës ekonomike amerikane kishte dhënë rekomandimet e saj.
Lehtësirat që OEAK-u ka rekomanduar, thotë Zeka, kanë të bëjnë me lirimet nga tatimet e ndryshme, lirime të cilat e tejkalojnë periudhën që ofrohen me legjislacionin aktual tatimor, pastaj lehtësira të tjera sa i përket tatimit në të ardhura personale dhe të tjera.
Ndërkohë, në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve në botë nga 9 shtatori thuhet se Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte dhe ka regjistruar norma pozitive të rritjes ekonomike, mesatarisht pothuajse katër për qind, gjatë dekadës së fundit. Megjithatë, sipas raportit, ky potencial kufizohet nga dështimi për të adresuar disa çështje serioze.
“Integrimi i kufizuar ekonomik rajonal dhe global; paqëndrueshmëria politike dhe ndërhyrja në ekonomi; korrupsioni; një furnizim jo i besueshëm i energjisë; një sektor i gjerë joformal; vështirësia në krijimin e të drejtave pronësore dhe sundimi i paqartë i ligjit, duke përfshirë një mungesë të dukshme të zbatimit të kontratës”, thuhet në raport.
Raporti thekson se sektori i drejtësisë ka ngecur të zbatohet, edhe pse ligjet dhe rregulloret e Kosovës janë në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbështetjen dhe mbrojtjen e investimeve.
Ndryshe, investimet amerikane në Kosovë në vit, sipas Odës Ekonomike Amerikane, janë deri në 25 milionë euro. Kjo shumë konsiderohet të jetë e ulët. Një ndër investimet e kompanive amerikane në Kosovë është ajo e konsorciumit turko-amerikan, Bechtel-Enka për ndërtimin e autostradave në Kosovë.
Po ashtu, edhe kompania amerikane Contour Global ishte njëra nga kompanitë, e cila erdhi në Kosovë për të investuar në ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, por e cila më pas ishte tërhequr./telegrafi/