Shqipëria ka siguruar një vend në natën finale të Eurovision 2025, ku “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm” ka arritur të kualifikohet mes 10 shteteve fituese të gjysmëfinales së parë, e mbajtur në Bazel, Zvicër.
Në natën e parë të Eurovision 2025, shtetet finaliste të gjysmëfinales së parë janë: Norvegjia, Shqipëria, Suedia, Islanda, Holanda, Polonia, San Marino, Estonia, Portugalia, dhe Ukraina. Kjo natë e karakterizuar nga energji dhe emocion solli një performancë të jashtëzakonshme nga Shqipëria.
Kënga “Zjerm” përfshiu simbole kombëtare, ndërsa koncepti skenik i frymëzuar nga legjenda e Rozafës krijoi një moment magjik.
Artistët finalistë, përfshirë Shqipërinë, do të rikthehen në skenë më 17 maj për të garuar për trofeun e Eurovision 2025.
Pas performancës spektakolare në parafialen, “Zjerm” dhe Shkodra Elektronike arritën të kalonin në finalen e madhe të Eurosong.
Kënga “Zjerm” fitoi Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar në fund të vitit 2024, dhe pas mbarimit të spektaklit dhe votimit, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama me një video-postim të performancës dhe një mesazh në rrjetin social.
“Zjerm në finalen e 17 majit në Eurovision! SHNDRIT, SHNDRIT, SHNDRIT!” – shkruan kryeministri, duke e shoqëruar me disa emoji zjarri dhe qielli me yje.