Një sipërfaqe prej rreth 10 hektarësh e mbjellë me pisha është përfshirë nga zjarri mëngjesin e së dielës në Prizren, njofton Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.
Sipas raportit, incidenti ka ndodhur rreth orës 10:00 për shkaqe ende të panjohura. Në vendngjarje kanë intervenuar menjëherë ekipet e zjarrfikësve të ndihmuar edhe nga banorët lokalë, të cilët pas disa orësh përpjekjesh kanë arritur ta lokalizojnë vatrën e zjarrit.
Nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar, përveç dëmeve të konsiderueshme materiale në sipërfaqet e pyllëzuara. Policia vazhdon punën për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit të zjarrit. /E.A/
