Është zhvilluar edicioni i dytë i Festivalit Folklorik Ballkanik, i cili ka mbledhur artistë nga rajoni i Ballkanit si edhe vizitorë të shumtë.
Festivali Folklorik Ballkanik u zhvillua në qytetin e Bilishtit, ku u bashkuan artistë popullorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Greqia, në një mozaik shumëngjyrësh veshjesh popullore, duke sjellë traditën muzikore të trevave të ndryshme të gadishullit tonë.
Për këtë manifestim të madh folklorik, Bashkia Devolli bashkëpunoi me Ansamblin “SH. K. A Devolli”, duke bërë të mundur këtë aktivitet me moton “Kënga dhe vallja na bashkon”. Eventi bëri bashkë këngëtarë, instrumentistë e grupe valltarësh, nën drejtimin e koreografit Agron Kordalli e drejtuese artistike Xhena Pine.
“Qëllimi i aktiviteteve të tilla është promovimi i vlerave artistike e kulturore të rajonit tonë”, thuhet në postimin online të bashkisë Devoll.
Në këtë eveniment kulturor mes artistëve e vizitorëve ishin të pranishëm, prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, drejtori i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, Niko Kotherja, kryetari i Bashkisë Devoll, Eduard Duro, e të tjerë autoritete të cilët mbështetën këtë eveniment artistik. Në fund të eventit, u shpërndanë edhe çmime për pjesëmarrësit, ku me çmim të parë u vlerësua grupi i Devollit./ATSH