Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar në lidhje me zhvillimin e garave ilegale të futbollit nga ana e strukturave të Serbisë brenda territorit të Kosovës.
Përmes një komunikate të lëshuar për media, FFK thotë se kjo është një dukuri e papranueshme dhe ka kërkuar nga të gjithë faktorët relevant të shtetit, Këshilli për Sport dhe organet e rendit, që të ndërmarrin hetime urgjente dhe t’i ndalojnë aktivitetet e tilla.
“Federata e Futbollit e Kosovës dënon ashpër zhvillimin e garave ilegale të futbollit nga ana e strukturave të Serbisë brenda territorit të vendit tonë. FFK është anëtare me të drejta të plota në UEFA që nga maji i vitit 2016 dhe si e tillë është institucioni i vetëm me statutin e UEFA-s dhe të FFK-së që bën organizimin e garave të futbollit në Republikën e Kosovës. Raportimet e fundit në media për zhvillimin e ndeshjeve garuese nga struktura ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës, ndonëse në nivele amatore, janë shqetësuese dhe të papranueshme. FFK-ja edhe më herët i ka diskutuar këto dukuri brenda Këshillit për Sport dhe ka kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme. Aktivitetet e tilla e cenojnë autoritetin e FFK-së dhe sovranitetin e Kosovës në përgjithësi. FFK kërkon nga të gjithë faktorët relevant të shtetit, Këshilli për Sport dhe organet e rendit, që të ndërmarrin hetime urgjente dhe t’i ndalojnë aktivitetet e tilla ilegale dhe është e gatshme të ndihmojë me ekspertizë dhe mbështetje përmes mekanizmave të UEFA-s dhe FIFA-s”.
FFK ka ofruar mbështetje për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke përfshirë edhe komunitetin serb, por jo edhe lejimin e e aktiviteteve të strukturave ilegale
“Ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe mbështetje për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke përfshirë edhe komunitetin serb, por nuk mund të lejojmë zhvillimin e aktiviteteve të strukturave ilegale, që në kundërshtim me rregullat e UEFA-s bëjnë organizim të ndeshjeve të futbollit brenda territorit të Kosovës. Andaj, do të bëjmë çdo gjë që është në kompetencat tona për t’i ndaluar këto aktivitete”, thuhet në fund të komunikatës së FFK-së.