Këtu gjeni zhvillimet kryesore gjatë 24-orëve të fundit:
Putini paralajmëron botën
Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi se çdo vend që ndërhyn në Ukrainë do të përballet me një përgjigje të shpejtë nga Rusia. “Ne i kemi të gjitha mjetet për këtë – ato për të cilat askush nuk mund të mburret, dhe ne nuk do të mburremi. Ne do t’i përdorim ato nëse është e nevojshme. Unë dua që të gjithë ta dinë këtë”, u tha ai ligjvënësve në Shën Petersburg.
Shtohen shqetësimet për Transnistrinë
Zyrtarët ukrainas kanë folur për rrezikun e hapjes së një fronti tjetër në konfliktin me Rusinë – përgjatë kufirit me Moldavinë në jugperëndim. Një pjesë e rajonit kufitar moldav kontrollohet nga një administratë pro-ruse në atë që quhet Transnistria.
Realizohet një shkëmbim i të burgosurve SHBA-Rusi
Trevor Reed, një shtetas amerikan dhe ish-marins i cili ishte ndaluar në Rusi që nga viti 2019, u lirua në një shkëmbim për shtetasin rus Konstantin Yaroshenko. Lirimi i Reed nuk do të ndikojë në qasjen e SHBA-së ndaj luftës në Ukrainë, thanë zyrtarë të lartë të administratës.
Efekti “jack-in-the-box” – Çka po ndodhë me tanket ruse në Ukrainë?
Qindra tanke ruse mendohet se janë shkatërruar që kur Moska nisi ofensivën e saj në Ukrainë. Ekspertët thonë se imazhet e fushëbetejës tregojnë se tanket po vuajnë nga një defekt për të cilin ushtritë perëndimore e kanë njohur për dekada dhe i referohen si “efekti i “jack-in-the-box”. Moska, thonë ata, duhet ta kishte parë problemin që po vinte.
Dyshohet se forcat ruse ekzekutuan ukrainasit që po përpiqeshin të dorëzoheshin
SHBA tha se kishte informacion të besueshëm se një njësi ushtarake ruse ekzekutoi ukrainasit që po përpiqeshin të dorëzoheshin pranë Donetskut. “Nëse është e vërtetë, kjo do të ishte një shkelje e një parimi thelbësor të ligjeve të luftës”, tha Ambasadorja e Lartë për Drejtësinë Penale Globale, Beth Van Schaack në Kombet e Bashkuara.
Rritja e aplikimeve për sponsorizim
Më shumë se 4,000 aplikime u depozituan për të sponsorizuar ukrainasit që kërkojnë të vijnë në SHBA brenda 48 orëve pasi administrata Biden nisi procesin e saj për ata që ikin nga Ukraina, tha për CNN një zëdhënës i Shërbimeve të Shtetësisë dhe Emigracionit të SHBA./UBTNews/