Gjatë një deklarate të mërkurën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u shpreh se Presidenti Trump ka qenë i angazhuar gjatë tri ditëve të fundit në “biseda produktive” me Iranin.
Ajo shtoi se operacioni është “përpara afatit” dhe se regjimi iranian po kërkon një “rrugëdalje”. Megjithatë, ky mesazh bie në kundërshtim të plotë me tonin e Ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili deklaroi më vonë se Irani “nuk ka ndërmend të negociojë për momentin”.
Araghchi specifikoi se mesazhet janë “përcjellë përmes vendeve miqësore”, por theksoi se këto shkëmbime nuk përbëjnë “as dialog, as negociata dhe asgjë të tillë”.
Pavarësisht kësaj, Trump insiston se iranianët “po negociojnë”, duke pretenduar se ata kanë frikë ta thonë këtë publikisht sepse mendojnë se do të vriten nga populli i tyre ose nga SHBA-ja.
Raporte kundërthënëse ka pasur edhe sa u përket propozimeve për t’i dhënë fund luftës, ku të mërkurën u raportua se Irani ka marrë një plan me 15 pika nga SHBA-ja për arritjen e një armëpushimi.
Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë politik dhe i sigurisë iranian u citua nga transmetuesi shtetëror Press TV të ketë thënë se ata kanë pesë kushte për t’i dhënë fund luftës, përfshirë pagesën e dëmeve të luftës dhe reparacioneve, si dhe përfundimin e luftimeve në të gjitha frontet. Ndërkohë që diskutohet për diplomaci, luftimet në terren po vazhdojnë.
Tym i zi është parë mbi një stacion energjetik izraelit pas një sulmi të raportuar me raketa iraniane, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore janë dëgjuar sërish në Teheran. /Reuters/
