UBT News

Zhegrova në radarin e Romës: A do të transferohet kosovari në Serie A?

Edon Zhegrova mund të bëjë një kalim të rëndësishëm në Serie A gjatë këtij muaji. Ylli kosovar, që më parë ishte në radarin e Milanit, tani është objektiv i një tjetër klubi të madh italian.

Roma është klubi që po e shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit të Zhegrovës, nëse Paulo Dybala largohet nga ekipi, sipas raportimeve të mediumit italian “Corriere della Sera,” përcjell “Gazeta Express.”

Sulmuesi argjentinas ka marrë një ofertë të jashtëzakonshme nga Arabia Saudite: një kontratë dyvjeçare me një rrogë prej 20 milionë euro në vit në klubin e kontrolluar nga fondi PIF. Nëse Dybala e pranon ofertën dhe transferohet në Saudi Pro League, kjo do të hapte mundësinë për Zhegrovën që të kalojë në kryeqytetin italian.

Zhegrova, i cili ka shkëlqyer në futbollin francez, veçanërisht gjatë sezonit të fundit me Lille, është gati për një hap të ri në karrierën e tij. Në moshën 25 vjeçare, ai është një nga futbollistët më të mirë shqiptarë dhe ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha nga Anglia, Italia, Spanja dhe Gjermania në vitet e fundit./UBTNews/

 

Exit mobile version