UBT News

Zhegrova mbetet te Juventusi, dështon transferimi te Al-Ittihad

Edon Zhegrova do të ketë një tjetër mundësi për të fituar besimin te Juventusi, pasi transferimi i mundshëm i tij te skuadra saudite Al-Ittihad nuk do të realizohet.

Ylli i Kombëtares së Kosovës ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë kësaj vere, për shkak të spekulimeve të vazhdueshme për një largim nga “Zonja e Vjetër”.

Në ditët e fundit, situata u bë edhe më e paqartë pasi trajneri Luciano Spalletti vendosi të mos e përfshijë Zhegrovën në listën e lojtarëve për Ligën e Evropës.

Një nga destinacionet e përfolura për sulmuesin kosovar ishte Al-Ittihad, por kjo mundësi tashmë është mbyllur.

Sipas ekspertit të transferimeve Fabrizio Romano, ishte pikërisht klubi saudit ai që vendosi të mos vazhdonte me negociatat për transferimin e Zhegrovës.

“Edon Zhegrova nuk do t’i bashkohet Al-Ittihadit. Afati kalimtar në Arabinë Saudite tashmë është mbyllur dhe Al-Ittihad vendosi të mos e vazhdojë marrëveshjen për Zhegrovën. Ai ishte i treti në listën e tyre, por në fund zgjodhën të mos e realizonin këtë transferim”, ka raportuar Romano.

Kësisoj, Zhegrova do të mbetet te Juventusi dhe tashmë sfida e tij kryesore është të bindë Spallettin se meriton më shumë hapësirë në skuadër.

Sulmuesi kosovar u aktivizua edhe në derbin ndaj AC Milanit, por pati shumë pak kohë për të treguar vlerat e tij, pasi u inkuadrua në lojë vetëm në minutën e 89-të.

Tani, me mundësinë e largimit nga Torino të mbyllur, Zhegrova duhet të shfrytëzojë çdo minutë në dispozicion për të rikthyer veten në planet e trajnerit italian.

D.L

Exit mobile version