Edon Zhegrova nuk do të mund të përfshihet në listën e Juventusit për garat e UEFA-s në vend të Manuel Locatellit, për shkak të rregulloreve të organizatorit të garave evropiane.
Këtë e ka konfirmuar drejtori ekzekutiv i klubit torinez, Giovanni Carnevali, gjatë mbledhjes së aksionarëve, duke sqaruar se Locatelli, si futbollist i formuar në Itali, mund të zëvendësohet vetëm nga një lojtar që plotëson të njëjtin kriter.
“Locatelli është lojtar i formuar në Itali dhe mund të zëvendësohet vetëm nga një lojtar i formuar në Itali. Pra, Ekhator dhe jo Zhegrova”, ka deklaruar Carnevali.
Mesfushori italian pritet të mungojë deri në muajin mars për shkak të lëndimit. Për këtë arsye, Juventusi ka vendosur të shfrytëzojë mundësinë që ofron UEFA për ndryshimin e listës në rast të lëndimeve serioze.
Zhegrova nuk ishte përfshirë në listën fillestare të Juventusit për garat evropiane në fillim të sezonit. Jashtë saj kishte mbetur edhe Jeff Ekhator, sulmuesi i transferuar nga Genoa gjatë verës, i cili në atë kohë ishte i lënduar.
Megjithatë, Ekhator është rikthyer në dispozicion dhe ishte pjesë e skuadrës në fitoren 2:0 ndaj Napolit, të dielën në “Allianz Stadium”.
Kështu, Juventusi ka vendosur që në listën e UEFA-s ta përfshijë sulmuesin e lindur në vitin 2006, duke lënë sërish jashtë Edon Zhegrovën.
Pavarësisht mungesës së gjatë të Locatellit, futbollisti kosovar nuk do të ketë mundësi të paraqitet me Juventusin në vazhdimin e garave evropiane.
D.L
