Edon Zhegrova vazhdon të mos fitojë besimin e trajnerit Luciano Spalletti te Juventusi, pasi ende nuk ka regjistruar asnjë paraqitje si titullar në Serie A.
Edhe në ndeshjen ndaj Fiorentinës, të zhvilluar të dielën, futbollisti kosovar u aktivizua nga banka rezervë, por pa arritur të lërë gjurmë në lojë.
Pas ndeshjes, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, foli hapur për paraqitjet e Zhegrovës, duke vlerësuar cilësitë e tij, por edhe duke theksuar mangësitë në lojën pa top dhe aspektin taktik.
“Edoni ka cilësi dhe ato janë të rëndësishme, por ai humb gjëra gjatë lojës. Ai humb qetësinë në mbrojtje dhe pozicionimin, si dhe kur ndjek një kundërshtar. Në këtë nivel nuk mund ta përballosh këtë. Ke nevojë për lojë të vazhdueshme për 90 minuta. Paraqitjet individuale nuk janë të mjaftueshme”, ka deklaruar Spalletti, sipas “Goal”.
Nga 36 paraqitjet e zhvilluara me fanellën e Juventusit, Zhegrova në 35 prej tyre ka hyrë si zëvendësues. E vetmja ndeshje si titullar ishte ajo ndaj Pafosit në Ligën e Kampionëve, ku u zëvendësua pas përfundimit të pjesës së parë.
Ndërkohë, sipas “Goal”, e ardhmja e reprezentuesit të Kosovës në Torino mund të vihet në pikëpyetje që në afatin kalimtar të janarit. Juventusi thuhet se po shqyrton mundësinë e transferimit të një futbollisti që përshtatet më mirë me filozofinë e Spallettit.
27-vjeçari ka realizuar dy gola dhe ka dhuruar dy asistime në Serie A, ndërsa me Juventusin ka kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2030.
D.L
