Edon Zhegrova luajti vetëm rreth 15 minuta në fund të ndeshjes së Kosovës ndaj Izraelit, e cila përfundoi me rezultat 0-0 në kuadër të Ligës së Kombeve. Në një intervistë ekskluzive për “Sportmediaset”, anësori kosovar foli për përballjen e fundit me Dardanët, të ardhmen e tij te Juventusi dhe objektivat e klubit italian.
“Fakti që nisa nga stoli ishte vendim i trajnerit. Mezi pres ndeshjen tjetër, shpresoj të startoj dhe të luaj”, deklaroi Zhegrova për “Sportmediaset”.
Kosova në ndeshjen e radhës do të përballet me Austrinë, e cila aktualisht kryeson grupin.
“Unë besoj te kombëtarja ime. Kemi lojtarë cilësorë, do të luajmë në shtëpi dhe mendoj se kemi një shans të mirë për të fituar. E njëjta gjë vlen edhe për grupin. Do të bëjmë gjithçka për të përfunduar të parët”, u shpreh ai.
Zhegrova foli edhe për eksperiencën e tij te Juventusi, duke theksuar se ndihet shumë i lumtur që është pjesë e klubit torinez.
“Jam shumë i lumtur që jam te Juventusi. Është një klub i shkëlqyer dhe nuk mund të mos jem i lumtur me shokët e mi të skuadrës, trajnerin, stafin dhe të gjithë ekipin. Është një privilegj për mua të jem pjesë e këtij klubi dhe do të jap më të mirën time sa herë që të zgjidhem për të luajtur”, tha Zhegrova.
Gjatë verës, emri i tij ishte lidhur me një largim të mundshëm nga Juventusi, por kosovari vendosi të qëndrojë në Torino.
“Qëndrova sepse e dua këtë klub dhe dua të arrij diçka të madhe me të. Kur më blenë, isha vërtet i lumtur dhe nuk doja të largohesha nga Juventusi në këtë mënyrë, pa lënë gjurmën time. Kështu që doja të qëndroja dhe tani dua të bëj gjëra të mëdha për këtë klub”, deklaroi ai për “Sportmediaset”.
Zhegrova nuk është përfshirë në listën e Juventusit për Europa League, një vendim që sipas tij i takon trajnerit Luciano Spalletti.
“Është zgjedhja e Spallettit. Çfarëdo që të vendoset, unë do të bëj më të mirën time për klubin dhe respektoj çdo vendim”, u shpreh reprezentuesi i Kosovës.
I pyetur nëse Juventusi mund ta fitojë Scudetton, Zhegrova u shfaq optimist për potencialin e skuadrës.
“Kemi një ekip të shkëlqyer dhe një skuadër shumë të mirë. Do ta marrim ndeshje pas ndeshjeje, me synimin për të fituar çdo ndeshje që luajmë. Mendoj se kemi cilësinë e nevojshme. Në fund do t’i nxjerrim përfundimet”, tha ai.
Në fund, Zhegrova u pyet edhe për rivalitetin me Interin, kampionin në fuqi të Italisë, duke e mbyllur intervistën me një përgjigje me humor.
“A jemi më të fortë se ata? Nuk dua të flas për këtë, por Juventusi është gjithmonë më i mirë”, tha Zhegrova me buzëqeshje.
D.L
