UBT News

Zhdukja e 5000 pakove me kokainë në Roterdam dyshohet se u bë shkak për vrasjen e shqiptarit në Ekuador

Zhdukja e një sasie prej gati 5 mijë pakove me kokainë në portin e Roterdamit në Holandë, dyshohet të jetë bërë shkaku kryesor në vrasjen e 34-vjeçarit, Ergys Dashi, në Guajakyl të Ekuadorit.

Në rrethin shoqëror mes Shqiptarëve, Dashi, njihet me nofkën “Pikja”, ndërsa ishte një person i rëndësishëm për ndjekjen e operacioneve të trafikut të kokainës nga Amerika Latinë në Evropë.

Ekzekutimi i të riut nga Durrësi por banues në Tiranë dhe që kohët e fundit qëndronte rezident në Guajakyl, besohet se është kryer nga grupet kriminale kolumbiane, të cilat bashkëpunojnë me trafikantët Shqiptarë, në dërgimin e tonelatave me kokainë drejt porteve të vendeve të Bashkimit Europian.

Sipas të dhënave, Dashi, ishte njeriu që koordinonte veprimet në Guajakil, ndërsa shefat e tij qëndrojnë ende dhe sot në Dubai dhe Tiranë.

Dashi konsiderohet nga policia kriminale në Shqipëri, si njeri i besuar i, Eldi Dizdarit, person që kërkohet nga Italianët si i implikuar në trafikun e kokainës në rastin e grupit “Los Blancos”. Dizdari, prej disa vitesh jeton në Dubai.

Ndërsa lidhjet miqësore të, Ergys Dashit, sipas burimeve të policisë, janë edhe me Ervin Matën, një personazh ky i përfshirë në masakrën e 4 Tetorit 2018 në ish-bllok.

Sipas burimeve jo zyrtare të policisë, Dashi njihet edhe si njeriu i besuar i P.D, nga Durrësi dhe aktualisht rezident në Dubai.

Në videon e siguruar nga “Ora News” shihet qartë momenti kur një person me një buqetë me lule në duar i është afruar viktimë dhe e ka qëlluar atë me një plumb në ballë, ndërkohë që ai po qëndronte në tavolinë me një person tjetër.

Ndërsa të gjithë personat që ishin në lokal janë alarmuar dhe kanë dalë me vrap nga restoranti.

Mësohet se autori përveç se ka vrarë Dashin, teksa po largohej nga lokali ka plagosur dhe një vajzë vendase me emrin, Angie Romero, 26 vjeç.

Ajo ishte ulur në një tavolinë pranë vendit ku ndodhej shtetasi i huaj. Në vendngjarje, ekspertët e kriminalistikës kanë grumbulluar mbi 20 shenja të fishekëve të markës Fame.

Hetuesit vendas, konstatuan se viktima ka marrë një plumb të vetëm në pjesën ballore të kafkës.ORANEWS

Exit mobile version