Filmi “Zgjoi” me regji nga Blerta Basholli, ka shënuar histori në festivalin e filmit në Sundance. Ky film rrëmbeu tri çmimet kryesore: Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Të shpërblehem nga festivali im i preferuar ka rëndësi të papërshkrueshme për mua. Dua t’i ndaj këto çmime me të gjithë ekipën, aktorët dhe posaçërisht me Fahrije Hotin, të cilën e mbaj në zemër që nga momenti i parë që e kam takuar, dhe e cila është shembull për të gjithe ne”, u shpreh Blerta përmes një videomesazhi me rastin e pranimit të çmimit regjisorja më e mirë, gjatë ceremonisë së ndarjes çmimeve.
“Kemi punuar shumë dhe gjatë që ta sjellim këtë film para jush, publikut, dhe jemi shumë të nderuar që na shpërblyet. Duam t’ia dedikojmë këtë çmim vendit tonë të dashur dhe të bukur, Kosovës”, u shpreh Yll Uka, producenti i filmit me rastin e pranimit të çmimit të publikut dhe çmimit filmi më i mirë (Grand Jury Prize).
‘Zgjoi’ është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit (interpretuar nga Yllka Gashi), nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal, ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; me producent Yll Ukën, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë Valon Bajgorën, Agon Ukën, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.
“Zgjoi” është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK./UBTNews