“Zgjoi”, filmi debutues i regjisores dhe skenaristes Blerta Basholli, që u prodhua nga Ikonë Studio dhe Industria Film është përzgjedhur në konkurrencë zyrtare kryesore në festivalin Sundance Film Festival. Ky festival do të mbahet në janar të vitit 2021 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal, ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, përpos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetveten.
Rolin kryesor e luan aktorja Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera paraqiten aktorët si: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, etj./UBTNews