Filmi “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli do të jetë pjesëmarrës edhe në Festivalin e Filmit në Romë. Lajmin e ka konfirmuar Ambasada e Kosovës në Itali.
“Më 18 tetor 2021, Festivali i Filmit në Romë do të jetë nikoqir i filmit “Zgjoi” i regjisores kosovare Blerta Basholli, e cila rrëfen historinë e vërtetë të Fahrijes, një grua nga Kosova, që mbeti e ve pas luftës në Kosovë. Filmi Zgjoi ka fituar tri nga çmimet më të rëndësishme të festivalit më të madh të pavarur të filmit, “Sundance”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe shumë çmime në Festivale të tjera të filmit”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Regjisorja Blerta Basholli rrëfen se frymëzimi i saj për filmin ishte jeta e zonjës Fahrije Hoti, e cila portretizon një histori të zakonshme, mirëpo shumë të gjallë dhe të fortë. Ky film rrëfen historinë e Fahrijes e cila pas luftës ngeli e vetme me dy fëmijët, vajzën 3-vjeçare dhe djalin tremuajsh.
Në përpjekjet për mbijetesë si nënë e vetme në Kosovën e pasluftës, ajo u bashkua me disa gra të tjera të fshatit që kishin mbetur të veja dhe krijuan kooperativën bujqësore “Krusha”, që merren me përpunimin e turshisë dhe ajvarit. Fahrija nuk heq dorë dhe vazhdon të luftojë jo vetëm për të mbajtur familjen e saj, mirëpo edhe për të luftuar paragjykimet kundër një komuniteti që është armiqësor ndaj saj.
Në këtë film luajnë: Yllka Gashi, Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Molikë Maxhuni./UBTNews