UBT News

Zgjedhjet në Shqipëri, PS vazhdon të prijë para PD-së

Partia Socialiste e Shqipërisë prin me 57.62 për qind të votave nga 120 qendra të votimit nga gjithsej 5199 sosh, pasuar nga Partia Demokratike me 31.6 për qind, sipas rezultateve të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në faqen e saj zyrtare.

Në vendin e tretë renditet LSI me 8.99 për qind, PSD ka 1.04 për qind, PLDSH 0.38 për qind, LN 0.28 për qind dhe LRE 0.09 për qind.

Në Shqipëri të dielën u mbajtën zgjedhjet parlamentare 2021. Për 140 vendet në parlament garojnë 1.800 kandidatë për deputetë nga 12 forca politike, koalicione apo kandidatë të pavarur.

Në këto zgjedhje kryeministri Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, kërkon mandatin e tretë qeverisës, ndërsa Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, rikthimin kësaj partie në pushtet, me atë si kryeministër, pas 8 vjetësh në opozitë.

Për herë të parë në këto zgjedhje identifikimi biometrik i zgjedhësve po bëhet me pajisje elektronike, që shmangin votimin e dyfishtë, votimin familjar apo votimin për dikë tjetër. Për herë të parë do të pilotohet në disa qendra votimi në Tiranë edhe numërimi elektronik i votave.

Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare sipas standardeve ndërkombëtare dhe cilësimi i tyre të lira, të drejta dhe të ndershme përbën kushtin kryesor që BE të zhvillojë brenda qershorit të këtij viti Konferencën e Parë Ndërministrore që shënon hapin e parë për hapjen nga BE-ja të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Exit mobile version