Të dielën, qytetarët e Preshevës dhe Bujanocit votuan për zgjedhjet lokale, Presheva me rreth 43,500 votues, ka votuar në 37 qendra të vendvotimit për 39 mandate në kuvendin komunal. Në Bujanoc, ku kanë të drejtë vote gjithsej 43,046 votues, votimi është zhvilluar në 59 vendvotime për 41 mandate. Në Preshevë, garuan 6 subjekte shqiptare dhe 1 i pakicës serbe. Ndërkaq, në Bujanoc konkurruan 4 subjekte shqiptare, 4 serbe dhe 1 subjekt i udhëhequr nga minoriteti rom.
Në Bujanoc, zgjedhjet u fituan nga Fronti për Ndryshim i Arbër Pajazitit, i cili mori rreth 3200 vota. Pajaziti falënderoi qytetarët për mbështetjen, duke theksuar angazhimin për një të ardhme më të mirë dhe premtoi krijimin e një shumice të re qeverisëse. Votimi në këtë komunë ishte i ngushtë, me Lëvizjen e Progresit Demokratik të Shqiprim Musliut që mori 3100 vota dhe koalicionin rreth Partisë Progresiste të Aleksandar Vuçiq që siguroi 3000 vota. Dy vendvotime mbetën të kontestuara dhe pritet vendimi i Komisionit Komunal Zgjedhor për rinumrim apo rivotim eventual, gjë që do të ndikojë në përbërjen përfundimtare të kuvendit komunal.
Në Preshevë, Partia për Veprim Demokratik e kandidates Ardita Sinani fitoi me 4080 vota. Sinani falënderoi qytetarët e Preshevës për besimin dhe bashkimin për një të ardhme më të mirë të komunës. Partia Demokratike Shqiptare dhe Alternativa për Ndryshim u renditën përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë me 3093 dhe 2856 vota.
Arbër Pajaziti shprehu mirënjohje për votuesit dhe premtoi veprime konkrete për një Bujanoc ndryshe, duke falënderuar gjithashtu edhe rivalët politikë për një garë demokratike.
“Faleminderit qytetarë të komunës së Bujanocit. Faleminderime plot 3371 herë për të gjithë Ju që votuat Frontin për Ndryshim, që besuat në këtë rrugë e cila shpie drejt një të ardhme më të mirë. Faleminderit për 10.800 shqiptarë të komunës së Bujanocit që votuan për njërën nga 4 listat tona si motra në këto zgjedhje. Faleminderit Ju që përshkuat me mijëra kilometra nga vende të ndryshme të Evropës për të dhënë votën në atdheun tuaj. Bashkëvendas që punoni përkohësisht në Kosovë, faleminderit për mundin e treguar. Ju komisionerë, Ju ishit hernonjt tanë. Aktivistë dhe simpatizantë, angazhimi i Juaj është për çdo lëvdatë dhe meriton falenderime të panumërta. Falenderime edhe për rivalët tanë, të cilët si gjatë fushatës, ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve, zgjodhën frymën demokratike të veprimit. Bashkombas të dashur, me këtë fitore na obliguat që të krijojmë një shumicë të re qeverisëse në Bujanoc. Atë edhe do ta bëjmë. Shumë shpejt. S’kemi kohë për të humbur, sepse na presin shumë punë. Vota e juaj është një amanet për të bërë një Bujanoc ndryshe. Gjithmonë në shërbinin tuaj”, shkruan Arbër Pajaziti në rrjetin social Facebook.
Ragmi Mustafi shprehu krenari për angazhimin gjatë fushatës dhe falënderoi mbështetësit, duke nënvizuar se përpjekjet për idealet e tyre do të vazhdojnë.
“Të dashur miq, zgjedhjet mbaruan dhe, për fat të keq, këtë herë nuk arritëm të fitojmë. Megjithatë, jam shumë krenarë për punën dhe përkushtimin që keni treguar gjatë gjithë fushatës. Faleminderit secilit prej jush për mbështetjen e palodhur, për besimin dhe përkushtimin. Ky nuk është fundi. Kontributi për idealet dhe aspiratat tona nuk mbaron. Faleminderit nga zemra për çdo përpjekje dhe mbështetje”, shkruan Ragmi Mustafi, pasi pranon humbjen.
Ardita Sinani theksoi fitoren me “mendje dhe zemër,” duke falënderuar qytetarët për besimin e treguar dhe uruar për një të ardhme më të mirë të Preshevës.
Këto zgjedhje treguan një angazhim të madh të qytetarëve dhe një konkurrencë të fortë ndërmjet partive, duke reflektuar diversitetin politik dhe interesin e madh për zhvillimin e komunave. Në të dy komunat, për zgjedhjen e kryetarit të komunës është e nevojshme arritja e shumicës prej 21 mandateve të këshilltarëve, pasi kryetari zgjidhet me shumicën e këshilltarëve dhe jo me votë të drejtpërdrejtë. /UBTNews/