Më shumë se 57 milionë amerikanë kanë votuar përpara kohe, ndërsa sot hapen qendrat e votimit në të gjithë SHBA-në për zgjedhjet e mesmandatit . Këto zgjedhje konsiderohen si një votëbesim i drejtpërdrejtë për dy vitet e para të mandatit të Presidentit Donald Trump dhe për përbërjen e re të legjislaturës në Uashington.
Në garë janë të gjitha 435 ulëset e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 ulëset e Senatit. Humbja e shumicës parlamentare në ndonjërën prej dhomave nga ana e republikanëve do të kufizonte ndjeshëm hapësirën e Presidentit Trump për të kaluar reformat e tij dhe do t’u jepte demokratëve mundësi për të nisur hetime parlamentare ndaj administratës.
Tema kryesore e fushates ka qenë kostoja e jetesës, ku votuesit kanë shprehur shqetësime për rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburantit. Kjo rritje është ndikuar nga politikat e tarifave tregtare si dhe konflikti me Iranin, i cili e ngriti çmimin e naftës në nivele rekord gjatë muajve të fundit.
Donald Trump zhvilloi një seri tubimesh në ditët e fundit të fushates për të mobilizuar bazën e tij elektorale, duke u fokusuar edhe në shtete konservatore si Kansas dhe Iowa, ku garat janë bërë më të ngushta se sa pritej. Rezultatet e para pritet të rrjedhin gjatë orëve të vona të mbrëmjes, ndërsa numërimi përfundimtar në disa zona mund të zgjasë disa ditë. /The New York Times/
