Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka caktuar 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Ky vendim vjen pas një takimi me përfaqësuesit e partive politike, të cilët në përgjithësi janë pajtuar që kjo datë të jetë më e përshtatshmja për procesin zgjedhor.
Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, deklaroi se për këtë parti çdo datë brenda afateve kushtetuese është e pranueshme, por theksoi se ekziston një pajtim më i gjerë për 7 qershorin.
“Për PDK-në, cilado datë brenda afateve kushtetuese dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese është e pranueshme, qoftë 31 maji apo 7 qershori. Partia Demokratike e Kosovës do të garojë si PDK, dhe në listë pritet të ketë edhe emra e figura të reja”, ka thënë Hamza.
Edhe përfaqësuesi i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, konfirmoi se ka një dakordim të gjerë për këtë datë.
“Nga ajo që pamë në takim me kryetaren e Kuvendit dhe partitë politike, ka një dakordim pothuajse të plotë që zgjedhjet të mbahen më 7 qershor. Edhe ne jemi pajtuar, ndonëse nuk kemi pasur ndonjë preferencë të veçantë”, u shpreh Gjini.
Një qëndrim të ngjashëm ka paraqitur edhe Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila tha se kjo parti mbështet shpalljen e kësaj date brenda kornizave ligjore.
“Si LDK kemi dhënë opinionin tonë që, në përputhje me ligjin, të shpallet 7 qershori si datë e zgjedhjeve. Duke qenë se kjo datë është kërkuar nga KQZ për shkak të përgatitjeve, ne e konsiderojmë të arsyeshme. LDK mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që ndajnë vlerat e saj tradicionale”, theksoi Lushaku-Sadriu.
