Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës ta votojnë “Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, në të cilin Qeveria ka paraparë edhe fondin rezervë për pandeminë. Zemaj thotë se ky ligj është shumë i nevojshëm për vendin dhe shëndetësinë tonë.
Këto deklarata i pari i Shëndetësisë i ka dhënë pas vizitës në Klinikën Infektive së bashku me kryeministrin Avdullah Hoti.
“Çdo pacient, në secilën klinikë do të trajtohet me profesionalizëm.Qeveria e Kosovës dhe të gjithë ne po angazhohemi maksimalisht që të jemi të gatshëm për çdo skenar, ta menaxhojmë situatën, të ketë mjaftueshëm shtretër për pacientët në nevojë, staf shëndetësor ku tashmë do të jenë edhe specializantët e rinj, si dhe furnizim me barna”, shkroi Zemaj mes tjerash në Facebook.
Ministri i Shëndetësisë theksoi se ditët e fundit u detyruan të ndërmarrin disa masa të reja, përfshirë këtu edhe pezullimin e përkohshëm të punës në objektin e ambulancave specialistike në QKUK, ku në vijim do të ofrohen vetëm shërbime shëndetësore për rastet emergjente.
“Ne jemi krenar me profesionistët shëndetësorë, me moralin, përkushtimin dhe dashurinë e shprehur gjatë mbrojtjes së jetës së qytetarëve.Andaj edhe sot dhe çdo ditë tjetër shpreh respektin tim të thellë dhe solidaritet me profesionistët shëndetësorë të cilët vazhdojnë luftën kundër Covid-19”, shkroi ai më tej./UBTNews