Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i shfrytëzoj të gjithë mekanizmat institucional ligjor dhe kushtetues për të zbardhur deri në fund të gjitha rastet e krimit korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë qeveri.
Kështu ka deklaruar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet sot në Kuvendin e Kosovës e cila është ftuar nga opozita.
Zemaj theksoi se kjo qeverisje nuk i ka duart e pastra, siç u shpreh ai janë të zhytur thellë në korrupsion.
“Hafizi nuk është ndonjë person i parëndësishëm, ai është njeri i afërt me Kurtin, ndërsa Dejona është vetë Kurti. Të dy rastet tregojnë se kjo qeveri është e zhytur në korrupsion, këta njerëz janë shkurt e shqip struktura kriminale, pyetjet që kërkojnë përgjigje për ne dhe qytetarët duhet të dimë si ka mundësi njeri i quajtur Naser Hafizi me pagën më shumë se 700 euro të blej katër banesa, prona e vetëm në shkurt të këtij viti të ketë qarkullim bankar mbi 400 mijë euro. Pse nuk janë alarmuar me kohë institucionet për dispozicionin e madh në krahasim me të hyrat e tij. A deri këtu e ka kapur shtetin kjo qeveri e cila edhe sot del dhe I mbron njerëzit e korruptuar dhe atë pa fije turpi? A mund të dimë se pse një person I quajtur Dejona Mihali pa asnjë pozitë në qeveri vendos kur duhet të nalet rryma, çfarë të komunikohet dhe si të komunikohet për punë, punësime dhe zhvillim. Kësaj nuk mund t’i themi tjetër veçse organizim I një skeme kriminale pa frikën e përgjegjësisë dhe pa brengën e llogaridhënies. Kjo skemë e krimit financiar mirë e organizuar fatkëqsisht e strukturuar në qeveri e kontrolluar nga parapolitika e krimit duhet doemos të zbardhet nga organet e drejtësisë“, tha ai.
Tutje, deputeti nga radhët e LDK-së, Zemaj u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje premtoi parajsë për qytetarët, por vetëm i varfëroi ata.
“Këta njerëz premtuan parajsë dhe përfunduan duke varfëruar qytetarët e pasuruar xhepin e tyre. LDK do të shfrytëzoj të gjithë mekanizmat institucional ligjor dhe kushtetues për të zbardhur deri në fund të gjitha rastet e krimit korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë qeveri”, tha ai.