Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar se vendi i tij “nuk do të luajë” me narrativat mbi atë se Kievi gjoja nuk dëshiron t’i japë fund luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë.
“E kam theksuar vazhdimisht se askush nga ne nuk i beson rusët. Ne e kemi kaluar këtë, por ne nuk do të luajmë me narrativat se nuk duam që lufta të përfundojë“, tha Zelenskyy për mediat ukrainase.
Lidhur me propozimin e SHBA-së për një armëpushim 30-ditor me Rusinë nëse Moska gjithashtu i përmbahet atij, Zelenskyy tha se është e rëndësishme për të që partnerët e Kievit në NATO të shohin se ai është serioz për përfundimin e luftës.
“Prandaj, reagimi im ishte se ne jemi gati për formatin e heshtjes për 30 ditë në atë format që na ofroi pala amerikane“, shtoi ai. Zelenskyy tha se është shumë herët të flitet për sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë nëse ajo shkel armëpushimin, duke shtuar se gjërat do të varen nga SHBA-ja përmes dialogut me Moskën.
“Nëse rusët demonstrojnë se janë të gatshëm për ofertën e SHBA-së, atëherë mendoj se do të ketë zgjidhje të përshtatshme dhe nëse nuk janë gati, ne vërtet shpresojmë që pala amerikane të tregojë saktësisht atë që tha“, tha ai.
Presidenti ukrainas tha se tema e garancive të sigurisë për Ukrainën u diskutua midis delegacioneve amerikane dhe ruse në Arabinë Saudite dhe se gjithçka në deklaratën e përbashkët të lëshuar pas negociatave ai e konsideroi si “sinjal pozitiv”.
Ai shtoi se për garancitë e sigurisë do të bisedohet më në detaje nëse zbatohet një armëpushim.