Ukraina po pret që nga muaji i ardhshëm t’i ketë rreth 3.5 miliardë dollarë në një fond për të blerë armë nga Shtetet e Bashkuara, për ta vazhduar luftën e saj mbi trevjeçare kundër pushtuesit rus, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Marrëveshja financiare, e njohur si Lista e Kërkesave Primare të Ukrainës (PURL), mbledh kontribute nga vendet anëtare të NATO-s, përveç Shteteve të Bashkuara, për të blerë armë, municione dhe pajisje amerikane.
“Ne kemi marrë më shumë se 2 miliardë dollarë nga partnerët tanë posaçërisht për programin PURL”, tha Zelensky në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kiev me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
“Do të marrim fonde shtesë në tetor. Mendoj se do t’i kemi diku rreth 3.5–3.6 miliardë dollarë”, theksoi ai.
Zelensky nuk dha hollësi për armët do të vijnë në dërgesat e para, por theksoi se ato do të përmbajnë raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore, Patriot, dhe municione për Sistemet e Raketave të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë (HIMARS)./S.K/EO/REL