UBT News

Zelensky është i bindur për statusin e kandidatit në BE, pavarësisht shqetësimeve gjermane

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur besimin se vendit të tij do t’i jepet statusi i kandidatit për në BE brenda javëve të ardhshme, pavarësisht hezitimit të Gjermanisë për të mbështetur përpjekjet për anëtarësim të Kievit.

Ky do të jetë një vendim jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë projektin europian”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm me video të hënën, duke shtuar se çfarëdo që të ndodhte do të përcaktonte nëse BE-ja do të kishte një të ardhme apo jo.

Komisioni Evropian, planifikon të vendosë së shpejti se si do të vazhdojë më mirë me ofertën e anëtarësimit të Ukrainës, e cila u bë menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë ndaj fqinjit të saj në fund të shkurtit.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka bërë të qartë se Ukrainës nuk duhet t’i jepet një rrugë e shkurtër për anëtarësimin në BE dhe ndërkohë që shtetet e tjera të BE-së kanë shprehur tashmë mbështetje për statusin e kandidatit të Ukrainës, qeveria gjermane mbetet ngurruese.

Me këtë në mendje, Zelensky, ka dërguar ministrin e tij për komunikimet dhe zhvillimin e territoreve, Oleksiy Chernyshov, si të dërguar të posaçëm në Berlin për të ngritur çështjen për planet e anëtarësimit të Ukrainës në BE.

Kievi mbetet me shpresë se udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të BE-së do ta emërojnë Ukrainën kandidate për anëtarësim në bllok në samitin e BE-së që do të mbahet më 23-24 qershor.

Bashkimi Europian duhet të përqafojë Ukrainën. Ne nuk presim pranim nga dera e pasme, as nuk presim një rrugë të shpejtë për Ukrainën,” tha ai, duke shtuar se Kievi nuk kishte asnjë interes në asnjë formë tjetër partneriteti me BE-në pa anëtarësimin e plotë, një ide e sugjeruar nga francezët. Nuk kemi plane të konsiderojmë ndonjë format tjetër për momentin“, tha Chernyshov përpara takimeve të tij në Berlin, përpara se të theksonte se vendi i tij nuk po kërkonte trajtim preferencial. /UBTNews/

Exit mobile version