Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se rreth 12,000 ushtarë të Koresë së Veriut do të jenë “së shpejti” në Rusi për stërvitje, duke pritur që ata të shfaqen në fushën e betejës në Ukrainë në një të ardhme të afërt.
Gjatë një konference për shtyp me liderët e vendeve nordike, Zelensky theksoi se tashmë janë 3,000 ushtarë të Koresë së Veriut në territorin rus. “Sipas shërbimeve tona, së shpejti do të jenë 12,000,” tha ai, duke theksuar se ky është një sinjal i “përshkallëzimit” të konfliktit. Ai shtoi se “Rusia do t’i përdorë ato në territorin tonë”.
Për të mbështetur këto deklarata, Pentagoni konfirmoi se rreth 10,000 ushtarë të Koresë së Veriut po stërviten aktualisht në tokën ruse. Zelensky gjithashtu njoftoi se Koreja e Veriut ka furnizuar Rusinë me “miliona predha artilerie dhe raketa” për konfliktin në Ukrainë.
Në lidhje me rrezikun që përbën një mundshme zgjedhje e Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale amerikane, Zelensky tha se “nuk e kishte dëgjuar” kandidatin republikan të deklaronte se nuk do të mbështeste Ukrainën. Ai theksoi se “mosmbështetja e Ukrainës do të ishte një fitore e madhe për Putinin dhe një humbje e madhe për Perëndimin, për unitetin, demokracinë dhe lirinë”.
Gjatë takimit me liderët e qeverive islandeze, daneze, norvegjeze, finlandeze dhe suedeze, Zelensky përshëndeti angazhimin e tyre për të ofruar mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën në përballjen e saj me agresionin rus./Euronews/