UBT News

Zejnullahu: Libri i Musa Sabedinit vjen si sublimim i një përvoje të gjatë mbi tridhjetëvjeçare të autorit në të bërit gazetari aktive

“Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, një libër i ri i, tashmë, veteranit të gazetarisë në shqip në Kosovë, Musa Sabedini, i shtohet radhës së studimeve e hulumtimeve të bollshme e kualitative të dekadës së fundit mbi gazetarinë në gjuhën shqipe në vend. Libri vjen si sublimim i një përvoje të gjatë mbi tridhjetëvjeçare të autorit në të bërit gazetari aktive të terrenit, të të qenit pjesë e trupave rregulluese të gazetarisë në Kosovë, si dhe i profesorit të gazetarisë, që e bën atë të trajtojë temat e shtruara për diskutim nga të trija rrafshet, të veçanta secila: duke praktikuar gazetarinë profesionale e pa shkelje, duke monitoruar shkeljet e të tjerëve, si dhe duke parë në praktikë cilat cilësi e parime u duhen sot më së shumti gazetarëve të rinj ka thënë dr. Safet Zejnullahu në recensionin e tij.

Pjesë të shkëputura nga recensioni i dr. Safet Zejnullahut për librin e profesorit të UBT-së, Musa Sabedinit :”Etika, mburojë e gazetarisë profesionale” që u promovua këtë të martë.

Por, tema që trajton e bën atë të veçantë dhe të ndryshëm. Sepse trajton një temë e cila, si kudo në botë, i ndihmon gazetarët të mos gabojnë ose të gabojnë minimalisht, pasi edhe gabimet njerëzore janë, i ndihmon mediat të bëhen më të mira dhe më profesionale, sepse këtë e kanë obligim parësor, pa çka se nganjëherë e harrojnë, me ose pa qëllim.

Libri vjen si sublimim i një përvoje të gjatë mbi tridhjetëvjeçare të autorit në të bërit gazetari aktive të terrenit, të të qenit pjesë e trupave rregulluese të gazetarisë në Kosovë, si dhe i profesorit të gazetarisë, që e bën atë të trajtojë temat e shtruara për diskutim nga të trija rrafshet, të veçanta secila: duke praktikuar gazetarinë profesionale e pa shkelje, duke monitoruar shkeljet e të tjerëve, si dhe duke parë në praktikë cilat cilësi e parime u duhen sot më së shumti gazetarëve të rinj.

Vetë dedikimi i librit “gazetarëve profesionistë dhe atyre që kanë etikë në të shkruar, që e përjetojnë etikën me mish e shpirt dhe punojnë gjithmonë në shërbim të gazetarisë objektive, të paanshme dhe balancuese” na tregon qasjen që ndjek autori nga fillimi deri në fund.

Duke bërë një hulumtim të gjatë dhe shterues në praktikat ndërkombëtare, autori ka sjellë qasjen që ka bota e përparuar në rregullimin ose në vetërregullimin e medias, duke e bërë atë të mbrojtur e të pandikuar nga pushtetet, por duke e bërë atë të përgjegjshme ndaj publikut e profesionale.

Ndërsa, duke sjellë shembuj të shumtë dhe konkretë, autori ia ka dalë të japë një pasqyrë të plotë të gjendjes së medias në Kosovë, në kohën e internetit, kur gazetaria, sikur edhe shumë fusha të tjera të jetës, janë rrezikuar fuqishëm nga qasja “shpejtësia para profesionalizmit” dhe nga qasja e gabueshme “të gjithë ata që publikojnë diçka janë gazetarë”.

Teknologjia dhe rrjetet sociale e mundësojnë këtë, por gazetarët profesionistë dhe trupat rregulluese e vetërregulluese janë ato që duhet të ndihmojnë në këtë periudhë transitore shumë të rëndësishme të medias në Kosovë, duke minimizuar “gazetarinë amatore” dhe duke qëndruar fuqishëm në parimin e gazetarisë profesioniste, të cilën e krijojnë, e zhvillojnë dhe e mbrojnë vetëm profesionistët.

Duke u nisur nga përmbajtja, literatura e bollshme dhe referente e shtjelluar nga autori, shembujt meritorë dhe porosia se vetëm profesionalizmi e mbron gazetarinë, besoj se libri “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale” do të jetë një mjet i fortë në duart e atyre që bëjnë gazetari, për të bërë gazetari të mirë e profesionale dhe për të eliminuar lëshimet që, edhe i bëjnë keq gazetarisë, edhe e ngufatin mendimin e lirë në një vend në tranzicion e në zhvillim, siç është Kosova.

Gazetaria e Kosovës është shumë e mirë, krahasuar me rrethanat në të cilat zhvillohet. Hulumtimet dhe librat si ky i kolegut Musa Sabedini ndihmojnë shumë që ajo të bëhet edhe më e mirë, edhe më profesionale.

Dr. Safet Zejnullahu

Exit mobile version