UBT News

Zbulohet thesari i Romës Antike, hapen për publikun freskat dhe mozaikët unikë

Autoritetet italiane kanë hapur për herë të parë për publikun një prej komplekseve më të mëdha të freskave dhe mozaikëve të periudhës së Romës Antike, të zbuluara në një galeri nëntokësore të ish-Termave të Trajanit në Romë.

Freskat dhe mozaikët, të cilët datojnë në shekullin I të erës sonë, u zbuluan gjatë gërmimeve arkeologjike në vitet 1990 në kodrën Opio, pranë Koloseut. Tashmë, pas një procesi të gjatë restaurimi, veprat “Qyteti i pikturuar” dhe “Mozaiku i madh” janë prezantuar për publikun.

Vizitat fillimisht do të zhvillohen në grupe prej maksimumi 15 personash, ndërsa ekspertët do të monitorojnë ndikimin e lagështirës dhe faktorëve të tjerë klimatikë në këto vepra të ndjeshme. Në varësi të rezultateve, qasja mund të zgjerohet edhe për më shumë vizitorë.

Kryetari i Romës, Roberto Gualtieri, ka vlerësuar veçantinë e freskës “Qyteti i pikturuar”, e cila paraqet nga një këndvështrim i lartë një qytet-port të fortifikuar. Sipas tij, bëhet fjalë për freskën më të madhe të këtij lloji të zbuluar në Romën e lashtë.

“Është vërtet unik në botë, si për nga bukuria artistike, ashtu edhe për nga rëndësia historike dhe dokumentare”, ka deklaruar Gualtieri.

Në freskë paraqiten ndërtesa, një teatër, tempull, sheshe publike dhe kulla, duke ofruar një pamje të jashtëzakonshme të një qyteti të madh të asaj kohe. Megjithatë, arkeologët ende nuk kanë arritur të përcaktojnë se cilit qytet i referohet vepra.

Edhe “Mozaiku i madh” paraqet një pasuri të rrallë artistike. Ai përmban elemente të ndërlikuara arkitekturore, kolona dhe figura të vendosura në katër nivele. Gjatë restaurimit janë zbuluar edhe detaje të një tjetër paraqitjeje të një qyteti-port në pjesët e poshtme të mozaikut.

Termat e Trajanit shtriheshin në rreth gjashtë hektarë dhe në kohën e tyre konsideroheshin kompleksi më i madh i banjove publike në botë. Përveç hapësirave për larje dhe aktivitete sportive, kompleksi kishte edhe ambiente të dedikuara për kulturën.

Në mesin e tyre ndodhet edhe një strukturë e madhe gjysmërrethore, e cilësuar si “bibliotekë”, e cila besohet se ishte pjesë e kompleksit termal dhe u ofronte vizitorëve mundësinë të kombinonin aktivitetet fizike me jetën kulturore.

Zbulimet e reja u japin arkeologëve dhe publikut një mundësi të rrallë për të parë nga afër një pjesë të jetës dhe artit të Romës Antike, të ruajtur për afro dy mijë vjet.

D.L

Exit mobile version