UBT News

Zbulohet rrjeti i trafikimit të armëve në Podujevë: Armët ishin të fshehura në valixhe, të dyshuarit në arrati

Një arsenal i konsiderueshëm armësh është sekuestruar nga Policia e Kosovës në Podujevë, pas një aksioni që zbuloi një tentativë për trafikim ndërkombëtar të armëve drejt Gjermanisë.

Rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 17:30. Pas informacioneve të pranuara në rrugë operative, policia ka ushtruar kontroll në një depo, ku brenda dy valixheve ka gjetur dhe sekuestruar: Pesë armë të gjata automatike AK-47 (Kallashnikov), Një armë të gjatë të modelit M12, Një armë të gjatë të prodhuesit të panjohur, Një pistoletë të tipit Glock, Nëntë karikatorë dhe 144 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Sipas hetimeve të para, tre të dyshuar ishin organizuar që këtë sasi armatimi dhe municioni ta transportonin ilegalisht drejt qytetit Shtutgart të Gjermanisë.

Me urdhër të prokurorit, njësitet policore kanë bastisur shtëpitë e të dyshuarve, mirëpo të njëjtit nuk janë hasur aty dhe aktualisht ndodhen në arrati. Policia e Kosovës ka nisur kërkimin për kapjen e tyre, ndërsa rasti po trajtohet në procedurë hetimore si “import, eksport, transportim ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”. /E.A/

Exit mobile version