UBT News

Zbulohet në Pompei një varr unik për kohën e vet

Në rrënojat e Pompeit është zbuluar një varr shumë i veçantë, i mbyllur, me një fasadë të zbukuruar me bimë jeshile në një sfond blu.

Veçantia e tij qëndron në faktin se ai është gjetur në një dhomë varrimi të një periudhe kur trupat e të rriturve në qytet digjeshin gjithmonë.

Gjithashtu, në të ka edhe një mbishkrim prej mermeri, që konfirmon se në teatrot e kolonisë romake, të paktën në dekadat e fundit para shpërthimit, në vitit 79 pas Krishtit, recitohej edhe në greqisht.

Një tjetër veçanti ka të bëjë me kushtet e ruajtjes së të ndjerit, i cili pjesërisht duket i mumifikuar, me kokën e mbuluar me flokë të bardhë, një vesh i ruajtur pjesërisht, si edhe pjesë të vogla të pëlhurës që e mbështillnin atë.

“Kjo është një enigmë të cilën po e studiojmë për të kuptuar nëse trupi është balsamosur dhe përse”, tha njëri nga arkeologët.

“Një nga skeletet më të mirë të ruajtur të qytetit antik”, shtoi ai.

I ndërtuar jashtë Porta Sarno-s, një nga portat kryesore të hyrjes në qytet, varri, që daton në dekadat e fundit të jetës së Pompeit, i përket Marcus Venerius Secundio, një ish-rojtar i Tempullit të Venusit (një e dhënë shumë e rëndësishme, sepse romakët e quanin koloninë Venus), si edhe një Augustale ose, ndryshe, anëtar i një kolegji priftërinjsh të kultit perandorak.

Testet e para mbi trupin treguan se ai ishte mbi 60 vjeç dhe kurrë nuk kishte bërë punë të rënda.

Ndër misteret për t’u zgjidhur është edhe prania në rrethim e një urne qelqi me hirin e një gruaje, Novia Amabilis, ndoshta gruas së tij. /ATSH-ANSA

Exit mobile version