UBT News

​Zbulohet murali kundër femicidit në Kosovë

Një grua me kokën lartë, me lule në dorë dhe rreth saj këpucë të kuqe të shpërndara, është murali i punuar nga disa të rinj përmes të cilit përçohet mesazhi për luftim të femicidit dhe garantimit të barazisë gjinore. Ky mural përmes të cilit janë përkujtuar viktimat e dhunës në baza gjinore u zbulua sot në hapësirat e shkollës të mesme të lartë “Xhevdet Doda” me rastin e Shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Paqes.

Murali është krijuar nga artistë të rinj të komuniteteve të ndryshme shqiptar, serb, rom, ashkali dhe egjiptian. Për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Paqes tema për këtë vit është “Kultivimi i një kulture të paqes”.

Shefja e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh u shpreh se paqja mund të ndërtohet vetëm duke punuar të gjithë së bashku. Ziadeh theksoi se çdo akt i vogël dhembshurie, mirëkuptimi, ndjeshmërie dhe bashkëpunimi kontribuon në një botë paqësore.

“Paqja ndërtohet nga paqja. Sot është festë, për ju, për të gjithë ju që jeni në paqe dhe për strukturën e paqes në Kosovë. Paqja nuk është një ëndërr, një ëndërr e largët, është një realitet i prekshëm që mund ta krijojmë së bashku. Çdo akt i vogël dhembshurie, mirëkuptimi, ndjeshmërie dhe bashkëpunimi kontribuon në qëllimin më të madh të një bote paqësore. Bëhet fjalë për efektin kumulativ të shumë veprimeve të vogla dhe pozitive. Dita Ndërkombëtare e Paqes këtë vit, e shënuar më 21 shtator mbart tegelin duke kultivuar një kulturë paqeje…03:38 Le të angazhohemi të jemi ambasadorët e paqes në jetën tonë dhe të frymëzojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Së bashku, ne mund të ndërtojmë një botë ku paqja nuk është vetëm një fjalë, por një mënyrë jetese. Së bashku, ne mund të nisim një udhëtim për të krijuar një botë që na nevojitet dhe e meritojmë, një botë ku të gjithë mund të arrijnë dhe të realizojnë potencialin e tyre të plotë”, theksoi Ziadeh.

Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj teksa femicidin e cilësoi si ndër shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut, tha se kjo dukuri është një manifestim i pabarazisë gjinore që po vazhdon në Kosovë. Zogaj theksoi se mesazhi i shënimit të kësaj dite është që femicidi nuk ka vend në Kosovë dhe se si shoqëri duhet shtyrë përpara aspekte legjislative që trajton seriozisht këtë pabarazi.

“Ne kemi nevojë për ndryshime gjithëpërfshirëse që fillojnë me arsimin, duke i mësuar djemtë dhe burrat tanë të respektojnë gratë, dhe kjo nuk është e negociueshme. Fuqizimi i vajzave dhe grave tona që të dinë vlerën për t’u ndjerë të sigurta dhe për të folur. U bëj thirrje edhe drejtuesve të komunitetit tonë, politikanëve dhe çdo qytetari të luajnë rolin e tyre në këtë temë shumë të rëndësishme. Ne nuk mund të lejojmë që kultura e heshtjes apo indiferencës të lulëzojë kur gratë vriten në shtëpitë tona, në lagjet tona dhe në rrugët tona. Ne duhet të solidarizojmë dhe duhet të shtyjmë për reforma legjislative që pasqyrojnë seriozitetin e kësaj krize. Dhe mesazhi ynë është i qartë, nuk ka vend për femicid në Kosovë, çdo grua ka të drejtë të jetojë e lirë nga frika, e lirë nga dhuna dhe e lirë të jetë ajo që është. Ne i detyrohemi grave që kemi humbur, familjeve të shkatërruara nga kjo dhunë, dhe gjeneratave të ardhshme që ta bëjmë Kosovën një vend më të sigurt, më të pastër dhe më të drejtë për të gjithë”, tha ai.

Artisja kryesore e këtij murali, Argjenda Azemi u shpreh se ky mural pasqyron viktimat e femicidit. Azemi theksoi ky mural jep mesazhin se duhet të punohet për një të ardhme më të mirë dhe të sigurt për gratë.

“Ky mural, pasi tema është shumë e rëndësishme, është paraqitur një grua me kokën lart, duke mbajtur disa lule që përfaqësojnë shpresën, kujtimin dhe shërimin. Dhe rreth saj janë të shpërndara këpucë të kuqe, të cilat secila palë përfaqëson një grua që ishte viktimë e dhunës me bazë gjinore. Kështu që doja që ky mural të ishte si një kujtim prej tyre, dhe të punojmë për një të ardhme më të mirë ku gratë mund të jetojnë pa frikë”, theksoi ajo.

Si çështje urgjente për ta trajtuar femicidin e ka konsideruar drejtoresha e Shtëpisë së Sigurt rajonale në komunën e Zubin Potokut, Adrijana Hoxhiq. Ajo në këtë ceremoni të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Paqes u shpreh se kjo dukuri është forma më ekstreme e dhunës në baza gjinore, për çka ajo kërkoi ligje dhe politika më të forta në luftimin e pabarazisë gjinore. Hoxhiq u shpreh po ashtu se derisa gratë nuk janë të sigurta nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme.

“Ende ka efekte të femicidit më shumë se vetëm familjet dhe komunitetet individuale, ai nënvizon stabilitetin dhe përparimin social, ekonomia vuan pasi potenciali i grave mbytet dhe përparimi kolektiv i kombit ngec. Paqja nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse gratë dhe vajzat nuk janë të sigurta. Paqja nuk është vetëm mungesë lufte, është prani e drejtësisë, barazisë dhe sigurisë për të gjithë. Dhe ne nuk mund të flasim për paqe nëse zërat e grave heshtën nga dhuna, nuk mund të flasim për paqen nëse potenciali i grave shkatërrohet nga frika, nuk mund të flasim për paqe nëse dhunuesit e femicidit ecin të lirë dhe viktimat e tyre harrohen. Ju lutem, le të ngremë zërin, të avokojmë për ligje dhe politika më të forta dhe të sigurojmë zbatimin e tyre, le të fuqizojmë gratë dhe vajzat”, tha ajo.

Murali i cili u zbulua sot e që synon luftimin e femicidit është mundësuar nga misionit i UNMIK-ut dhe Mural Fest Kosova.

Exit mobile version