UBT News

Zbulohet laborator kanabisi në Prizren, dy të arrestuar

Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës i zhvilluar këtë të enjte në rajonin e Prizrenit, ka përfunduar me arrestimin e dy personave dhe zbulimin e një laboratori të sofistikuar për kultivimin e bimëve narkotike.

Operacioni, i cili u realizua pas një hetimi paraprak në koordinim me prokurorinë dhe gjykatën, nisi me bastisjen e një shtëpie ku dyshohej se po rriteshin bimë të llojit kanabis sativa.

Gjatë ndërhyrjes, hetuesit policorë arrestuan një person në vendngjarje, ndërsa kontrolli u zgjerua edhe në tri lokacione të tjera ku u prangos edhe i dyshuari i dytë.

Brenda hapësirave të kontrolluara, policia sekuestroi një gamë të gjerë pajisjesh teknike që shërbenin për kultivimin e drogës, duke përfshirë llamba ndriçimi, sisteme ventilimi, aparate për rregullimin e temperaturës dhe preparate kimike.

Megjithëse të dyshuarit kishin tentuar t’i asgjësonin provat duke djegur rreth 300 bimë kanabisi para mbërritjes së forcave të rendit, policia arriti të gjejë sasi të mbetura të marihuanës, kokainës, si dhe një bimë të pa dëmtuar. P

ërveç lëndëve narkotike, në cilësinë e provave materiale u sekuestruan edhe një armë zjarri e llojit pistoletë me dhjetëra fishekë, një veturë dhe një furgon me targa vendore.

Me vendim të prokurorit kompetent, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë për procedime të mëtejshme ligjore.

 

Exit mobile version