UBT News

Zbulohet klauzola sekrete e Sunderlandit për Granit Xhakën, kontrata e tij zgjatet deri në vitin 2029

Sunderlandi kishte aktivizuar në heshtje një klauzolë për zgjatjen e kontratës së Granit Xhakës gjatë vitit të kaluar, duke e lidhur kapitenin e skuadrës me klubin anglez deri në verën e vitit 2029.

Ky detaj, i cili nuk ishte bërë publik më parë, rezultoi vendimtar gjatë interesimit të Chelseat për transferimin e mesfushorit shqiptar verën e kaluar.

Sipas raportimeve, “Macet e Zeza” refuzuan disa oferta të klubit londinez, të cilat kapnin vlerën e rreth tetë milionë funteve. Kjo ndodhi pavarësisht faktit se Xhaka fillimisht ishte i hapur për një kalim në “Stamford Bridge” dhe kishte arritur marrëveshje në parim për kushtet personale.

Chelsea synonte ta ribashkonte reprezentuesin zviceran me ish-trajnerin e tij te Bayer Leverkuseni, Xabi Alonso.

Megjithatë, sipas gazetës Sunderland Echo, klubi anglez kishte aktivizuar opsionin për zgjatjen e kontratës shumë kohë përpara se të niste saga e transferimit. Kjo i dha Sunderlandit një pozicion më të fortë në negociata dhe bëri që Xhaka të mbetej në “Stadium of Light”.

Ndërkohë, periudha e fundit nuk ka qenë plotësisht e lehtë për mesfushorin, i cili u përball me një dëmtim në pulpën e këmbës gjatë ndeshjes kundër Chelseat. Ky problem e detyroi të mungonte në udhëtimin e Sunderlandit ndaj Aston Villas, si dhe në ndeshjet e Përfaqësueses së Zvicrës gjatë muajit nëntor.

Xhaka, 34-vjeçar, ka një karrierë të pasur në futbollin evropian. Ai ishte një nga protagonistët kryesorë të Bayer Leverkusenit në sezonin historik kur skuadra, nën drejtimin e Xabi Alonsos, fitoi titullin e Bundesligës pa pësuar asnjë humbje.

Edhe në sezonin e kaluar me Sunderlandin, mesfushori tregoi rëndësinë e tij, duke regjistruar 34 paraqitje në Ligën Premier, me një gol dhe gjashtë asistime.

Tashmë, me kontratën e siguruar deri në vitin 2029, Sunderlandi ka dhënë një sinjal të qartë se Granit Xhakën e konsideron pjesë thelbësore të projektit të tij afatgjatë.

D.L

Exit mobile version